Ekonimisti Safet Gërxhaliu, ka thënë se projekti amerikan gazsjellësit që lidh Kosovën me Greqinë përmes Maqedonisë së Veriut është shumë i rëndësishëm për vendin.
Ai në Edicionin Special të Klan Kosovës ka deklaruar se Kosova nuk e ka komoditetin për të refuzuar këtë projekt.
“Vitin 2020 e karakterizojnë dy data kryesore e para Marrëveshja e Washingtonit dhe e dyta Procesi i Berlinit. Marrëveshja e Washingtonit është një strategji për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor për një periudhë të caktuar ku krahas projekteve të dizajnuara është edhe përcjellja financiare, njëra ndër këto projekte i cili është i dizajnuar në marrëveshje është edhe gazi i lëngët që duhet depërtojë në Ballkanin Perëndimor. Një projekt që ka multidimensionalitet në vete, është i rëndësisë strategjike në formë të pakontestuar, është i rëndësisë ekonomike, mbi të gjitha e ka kontektivitetin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim besoj që Kosova nuk e ka komoditetin për të refuzuar, por duhet të argumentuar”.
“Ky gaz është shumë i lirë, është shumë ekologjik dhe është mundësia e vetme për eliminimin e CO2. Kosova nuk e ka mundësinë e vet për ndërtimin e termocentraleve të bazuara në gaz. Ekzistojnë strategji të dizajnuara nga korporata të ndryshme amerikane ku ekziston një mundësi që linjiti i Kosovës të shndërrohet në gaz dhe ai gaz të hyjë në funksion”.





