Në Strasburg të Francës pritet të merret vendimi nëse Kosova do të vazhdojë ose jo drejt hapit të fundit për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës (KiE).
Ky vendim parashihet të merret në pasditen e së martës, më datë 16.04.2024, në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të KiE.
Për çështjen e anëtarësimit të Kosovës do të organizohet një debat dhe në fund do të votohet. Nevojiten 2/3 e votave të Asamblesë për t’i rekomanduar Këshillit Ministror të KiE pranimin e Kosovës.
Pas këtij votimi, për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Europës do të mbetet vetëm edhe hapi i fundit, i cili është vendimi i Këshillit Ministror, në të cilin nevojiten përsëri 2/3 të votave të ministrave të Jashtëm.
Kësaj date që Kosova po e pret prej kohësh, i hapi rrugë miratimi me sukses i raportit të raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, përmes të cilit u konstatua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
George Kyris, profesor i Universitetit të Birminghamit, njëherësh themelues i organizatës “ECPR Statehood, Sovereignty and Conflict Research Network”, shprehet optimist që Kosova do t’i tejkalojë sukseshëm këta hapa kaq të rëndësishëm.
“Megjithatë, pranimi i Kosovës në KiE do të jetë shumë i rëndësishëm sepse të qenit pjesë e kësaj organizate dhe organizatave të tjera ndërkombëtare i mundëson një vendi të ndikojë në vendimet në nivel global dhe të përfitojë nga bashkëpunimi ndërkombëtar”- thotë Kyris për Kallxo.com.
Në Strasburg ndodhen ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla- Schwarz, së bashku me zëvendësministrin, Kreshnik Ahmeti. Përveç tyre, aty ndodhet edhe delegacioni i Kuvendit të Kosovës, i cili udhëhiqet nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci.
Një ditë më parë, Ministria e Punëve të Jashtme u shpreh optimiste që mundësia e parë për marrjen e vendimit përfundimtar do të ishte takimi më 16 maj të këtij viti.
Më 27 mars, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e Dora Bakoyannis, ku u rekomandua që Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Në këtë raport të miratuar u kërkua që Kosova të ftohet pa fusnotë, dhe rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.
Raporti u miratua me 31 vota për, katër kundër dhe një abstenim. Ndërkaq, kundër votuan dy deputetë nga Serbia, një nga Mali i Zi dhe një nga Bosnja e Hercegovina.
Pas vendimit të fundit për Kosovën, autoritetet serbe kanë formuar një ekip, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Këshillit të Evropës, gjë që bie në kundërshtim me Marrëveshjen e Ohrit.
Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Gjithashtu, opinioni i Bakoyannis i miratuar më 27.03.2024, kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2012 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Raporti rekomandon që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5.