LAJME

Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria pas shpërthimit të murtajës

Kosova ndalon importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria pas shpërthimit të murtajës
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Prill 2026, 09:52

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka vendosur ndalimin e përkohshëm të importit të deleve dhe dhive nga Shqipëria, pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (murtaja e bagëtive të imta) në Qarkun e Dibrës.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalesa vlen për gjithë territorin e Shqipërisë dhe do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër, në varësi të zhvillimeve epidemiologjike, si masë parandaluese për të mbrojtur sektorin blegtoral dhe për të shmangur përhapjen e sëmundjes në Kosova.

Siç bën të ditur AUV, autoritetet do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe në zonat përgjatë kufirit me Shqipërinë, ndërsa komunat kufitare janë udhëzuar të vendosin masa të rrepta për kufizimin e lëvizjes së bagëtive.

Ndërkohë, fermerëve u është bërë thirrje të rrisin vigjilencën, të shmangin kontaktin e tufave me kafshë të tjera dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë tek shërbimet veterinare.

Peste des Petits Ruminants është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë, duke shkaktuar humbje të mëdha në blegtori.

“Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje” – thuhet në njoftim.

Megjithatë, AUV thekson se sëmundja nuk është e rrezikshme për njerëzit dhe nuk përbën kërcënim për shëndetin publik.

Institucionet përgjegjëse kanë apeluar për respektim të plotë të masave të vendosura, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e sëmundjes në vend.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika