Kosova u bë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që ishte nikoqire e Forumit të 41-të “Government Borrowers Forum”. Forumi i organizuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në bashkëpunim me Bankën Botërore, mblodhi së bashku mbi 70 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme të botës për të diskutuar tema që ndërlidhen me tregjet e kapitalit ndërkombëtar dhe menaxhimin e borxhit, parashikimin dhe tendencat globale të tregut, politikën monetare, financat e qëndrueshme dhe rritjen ekonomike.
Në këtë forum, të pranishëm ishin figura të rëndësishme nga skena financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Zëvendëspresidentin e Bankës Botërore, Jorge Familiar, dhe përfaqësuesit më të lartë të thesareve dhe institucioneve financiare nga shtete të Azisë, Evropës, Lindjes së Mesme, Amerikës Veriore dhe asaj Jugore.
Të pranishmit u pritën nga Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Drejtori i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Massimiliano Paolucci, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Nysret Koca.





