LAJME

Kosova me përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit në Evropë

Kosova me përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit në Evropë
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Maj 2022, 19:36

Mbi 97 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë qasje në internet, ku çdo i dyti prej tyre ka blerë online së paku një herë brenda një viti.

Kështu thuhet në Raportin Evropian të Tregtisë Online, ku krahasuar me vendet e CEFTA-së, Kosova ka përqindjen më të lartë të përdoruesve të internetit në Evropë.

Pas Kosovës me 84 për qind është Maqedonia e Veriut, ndjekur nga Serbia me 80 për qind, Mali i Zi me 79 për qind dhe e fundit Bosnja e Hercegovina me 74 për qind.

Për sa i përket tregtisë online, në Kosovë çdo i dyti qytetarë ka blerë në internet, pra 48 për qind, kurse për një periudhë tremujore kjo blerje është 37 për qind.

Blerje të lartë, brenda një viti, e ka edhe Serbia me 48 për qind, pasuar nga Maqedonia e Veriut me 40 për qind, Bosnja e Hercegovina me 38 për qind dhe Mali i Zi me 29 për qind.

Në pyetjen se, sa shpesh bleni online, ky raport tregon se 16 për qind e qytetarëve të Kosovës blejnë deri në 2 herë, 15 për qind deri në 5 herë dhe 3 për qind janë ata që blejnë deri në 10 herë.

Qytetarët e vendeve të CEFTA-së zakonisht harxhojnë deri 50 euro për çdo blerje. Për kosovarët, kjo shumë është 40 për qind, deri në 500 euro është 22 për qind, kurse rreth 1,000 euro është vetëm 2 për qind.

Në fund, raporti tregon se 98 për qind e qytetarëve në Kosovë blejnë online nga shitësit vendor. Vetëm 8 për qind e tyre thonë se blejnë nga shitësit e vendeve jo-evropiane, 5 për qind nga shitësit në të gjithë botën, 4 për qind nga shitësit brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ndërsa vetëm 1 për qind nga ato vende jo të specifikuara. /Telegrafi/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika