Kosova ka paraqitur katër propozime në dialogun me Serbinë të martën në takimin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pasur me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në ndërmjetësim të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Të gjitha palët takimin e kanë cilësuar si “jo të lehtë”.
Kryeministri i Kosovës pas takimit ka renditur pikat që ka propozuar në dialog. Ai ka thënë se ka bërë propozim për marrëveshjen për tregti në Evropën juglindore, që të nënshkruhet menjëherë një marrëveshje e paqes mes dy shteteve, që pas njohjes të ketë reciprocitet bilateral për pakicat dhe që për çështjen e të pagjeturve, nga delegacioni serb të hiqen njerëzit që ishin në funksione në kohën e udhëheqjes së Serbisë nga ana e Sllobodan Milosheviqit.





