Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur në takim zëvendësdrejtorin për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Lyn Debevoise.
Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë takimit, zëvendësministri Ahmeti u njoftua me prioritetet e SCE për Kosovën dhe rajonin, ndërsa theksoi progresin e arritur dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, veçanërisht në fushat e diplomacisë, ekonomisë dhe mbrojtjes.
Në njoftim thuhet se ai gjithashtu informoi z. Debevoise për shqetësimet lidhur me veprimet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, si dhe për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.





