Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një letër drejtuar presidentit amerikan Joe Biden, ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përkrahin Kosovën në rrugën e saj për pranim në NATO.
Në letrën e saj, të cilën e ka siguruar KOHA, Osmani ka falënderuar Bidenin për urimet për 14-vjetorin e pavarësisë, ndërsa më pas ka shkruar për progresin e shtetit dhe shndërrimin nga një shtet i sapodalë prej luftës në një vend demokratik. Ka përmendur edhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, siç kanë bërë vendet perëndimore.
“Integrimi euroatlantik gjithmonë ka qenë qëllimi ynë, por sot – në kuadër të ngjarjeve të paprecedentë në kontinentin e Evropës – është prioriteti ynë kryesor i sigurisë kombëtare. Evropa po përballet me kohët më të errëta dhe më të rrezikshme që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Teksa ndajmë të njëjtin qëllim për mbrojtje dhe promovim të sigurisë globale, pranimi i Kosovës në NATO është i domosdoshëm. Argumentet kundër pranimit të Kosovës në NATO nuk i marrin parasysh imperativin e sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe nuk i shërbejnë interesit të botës së lirë demokratike, që është nën rrethim në rritje nga tendencat autoritare dhe politikat e tyre agresive”, ka thënë Osmani në letrën e saj.





