Kosova nuk do të jetë pjesë e një programi financues të BE-së me vlerë 7.5 miliardë eurosh, ndryshe nga katër shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar për Dukagjinin se me kërkesë të institucioneve të BE-së, nënshkrimi i kësaj marrëveshje nga Kosova është shtyrë. Ekzekutivi nuk ka treguar arsyet e këtij vendimi, por ai vjen në kohën kur BE-ja ka paralajmëruar masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri.
Plot 7.5 miliardë euro peshon marrëveshja që Maqedonia e Veriut po nënshkruan me BE-në për programin e Evropës Digjitale.
Por një gjë të tillë nuk e bëri edhe Kosova, e cila ka mbetur jashtë programit.
Këtë e ka konfirmuar Ministria e Ekonomisë.
“Sipas njoftimit të pranuar nga Drejtoria e Përgjithshme për Rrjetet, Përmbajtjen dhe Teknologjinë e Komunikimeve, data e nënshkrimit të marrëveshjes mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian është shtyrë”, ka thënë Ministria e Ekonomisë për RTV Dukagjinin.
Ministria nuk ka dhënë detaje për arsyet e shtyrjes së nënshkrimit.
Por ky vendim vjen pak kohë pasi BE-ja paralajmëroi masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mos ndërmarrjes së hapave për uljen e tensioneve në veri të vendit.
Për dallim nga Kosova, pjesë e programit tashmë janë bërë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Megjithatë, eksperti i teknologjisë nga Shqipëria, Tomi Kallanxhi beson që kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me sanksione ndaj Kosovës.
“Nuk është vetëm për sanksione, por edhe është sepse BE-ja ka zgjedhur vetëm 4 shtetet që janë kandidatë apo status kandidat të Bashkimit Evropian që është Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia që në këtë mes flitet për një buxhet që është diku 7.5 miliardë euro dhe do të jetë nga viti 2021 deri në vitin 2027”, ka thënë Tomi Kallanxhi – Njohës i Teknologjisë Digjitale.
Njohësi tjetër i teknologjisë digjitale, Drilon Jaha vlerëson se Kosova do të humbte shumë dhe do të mbetej prapa vendeve të rajonit nëse përfundimisht nuk përfshihet në këtë program.
“Sa i përket teknologjisë ky është program i dedikuar edhe është tepër me rëndësi me qenë pjesë e saj për shkak të aspektit të financave dhe aspektit të avancimit dhe digjitalizimit dhe transformimit digjital që mundet me ndodhë në Kosovë. Disa prej aspekteve që mundemi me përfitu ndërmjet këtij planprogrami është që të gjitha avancimet që bëhen në Evropë ato pastaj me u integru në Kosovë”, ka shpjeguar Drilon Jaha – Njohës i teknologjisë digjitale.
Përmes Programit të Evropës Digjitale qytetarët, bizneset, institucionet publike do të kishin mundësi të aplikojnë në programin e ri financues të BE-së.
Televizioni ka kërkuar përgjigje edhe nga Bashkimi Evropian, por gjatë së shtunës nuk ka kthyer përgjigje./Dukagjini/