Më 2023, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishin dakorduar në dialog për të zbardhur fatin e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. Aty parashihej që të jepej qasja e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë në gjetjen dhe identifikimin e të zhdukurve.
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami, ka njoftuar se ka kërkuar nga emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, që të sigurojë që Serbia i zbaton zotimet e saj në Deklaratën për Personat e Zhdukur.
Në javën e fundit janë gjetur dy varre masive në veri, sipas autoriteteve të Kosovës. Në anën tjetër, Serbia vazhdon t’i mbajë të klasifikuara dokumentet e brigadave, që vlerësohet se po të bëheshin publike do të ndihmonin në gjetjen e mbetjeve mortore.
“Si kryenegociator i Republikës së Kosovës, ia kam përcjellë zyrtarisht emisarit të posaçëm për dialog, Peter Sorensen, shqetësimet tona të thella mbi zhvillimet e fundit në lidhje me personat e zhdukur nga lufta 1998-1999. I kam kërkuar BE-së që të sigurojë që Serbia të zbatojë plotësisht angazhimet e saj sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, përfshirë qasjen e pakufizuar në arkiva dhe mbrojtjen e atyre që paraqiten me informacion. Familjet kanë pritur shumë gjatë për të vërtetën”, ka shkruar Bajrami në X.