Kosova ka humbur ndeshjen vendimtare për vendin e parë në Grupin 2 të Ligës C të Ligës së Kombeve. Të dielën mbrëma në Volos, Kosova humbi 2:0 nga Greqia. Ndeshja ishte e tensionuar, ndërsa është dominuar plotësisht nga grekët.
Me fitore, Greqia ka siguruar vendin e parë në grupin e dytë dhe avancimin në Ligën B për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve. Greqia po ashtu do të paraqitet në plejof për kualifikim në Euro 2024, nëse kualifikimin nuk e arrinë përmes kualifikimeve të rregullta.
Greqia i ka 12 pikë pas katër ndeshjes. Kosova i ka gjashtë pikë në pozitën e dytë, ndërsa Irlanda e Veriut dhe Qipro i kanë vetëm nga dy pikë. Kanë mbetur edhe dy xhiro deri në fund. Ndërkohë Greqia i ka fituar dy ndeshjet me Kosovën dhe kështu është më e mirë në bilancin e ndërsjellë që shikohet në rast se skuadrat kanë pikë të barabarta.
Ishte rezervisti Giorgos Giakoumakis që shënoi golin e parë në ndeshje. Ai realizoi në minutën e 71-të. Giakoumakis u shkëput lartë në zonë dhe shënoi me goditje të saktë me kokë. Në momentin kur goditi me kokë, lojtari grek nuk kishte asnjë mbrojtës të Kosovës afër.
Ndërkohë Petros Mantalos, tjetër rezervist, shënoi golin e dytë në minutën e 99-të. Kur portieri Arijanet Muriq kishte kaluar në sulm në tentim për të shënuar golin e barazimit, grekët hedhën topin para. Emir Sahiti nuk ia doli të largoi topin me sukses dhe kështu Mantalos realizoi golin e dytë.
Greqia ka dominuar prej fillimit, duke rreshtuar rastet. Ndërkohë lojtarët e Kosovës vetëm në fund u hodhën në sulm. Krijuan disa gjysmëraste, por pa rrezikuar seriozisht portën e Greqisë.
Ndeshja në Volos ishte e tensionuar. Në stadium janë shfaqur flamuj të Serbisë, ndërsa tifozët vendas kanë fishkëllyer himnin e Kosovës. Lojtarët e Kosovës vazhdimisht janë penguar me laserë, ndërsa ka pasur edhe përleshje mes shikuesve mes dy pjesëve. Në stadium ishin edhe dhjetëra tifozë të Kosovës.
Tensione tjera ka pasur kur është shënuar goli. Disa tifozë vendas kanë hyrë në fushë, ndërsa në tribuna, tifozët kanë shkëmbyer mjete ndezëse.
Kosova ka pasur ekip të limituar për këtë ndeshje. Ka pasur shumë mungesa dhe pak opsione në stol.
Kosova në shtator luan me Irlandën e Veriut në udhëtim dhe me Qipron në shtëpi. Por pa gjasa për avancim. Tashmë është jashtë objektivave./koha.net/