Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se të mërkurën janë hequr 133,234 vaksina AstraZeneca, pjesë e donacionit nga Norvegjia, të cilave u ka skaduar afati në fund të muajit gusht.
Vitia ka thënë në një konferencë për media se skadimi i afatit të tyre ishte paralajmëruar kohë më parë, ndonëse siç ka thënë, ka pasur dezinformata lidhur me këtë.
“Sot janë hequr 133,234 vaksina nga kompania AstraZeneca pjesë e donacionit nga Norvegjia të cilave u ka skaduar afati. Si MSH qysh ne fillim kemi lajmëruar se afati i tyre është 31 gushti i këtij viti. Pavarësisht kësaj ka pasur shumë dezinformata përfshirë këtu edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, për afatin e këtyre vaksinave. Kjo ka ndikuar dukshëm në uljen e interesimit të qytetarëve për të marrë këtë vaksinë, deri në refuzim për marrjen e tyre. Ne nuk jemi në situatë kur duhet zgjedhur vaksinë. Një pjesë e madhe e vendeve të rajonit nuk e kanë pasur mundësinë e zgjedhjes dhe janë vaksinuar edhe me vaksina jo të certifikuara me EMA dhe FDA, për ne sigurimi i vaksinave është parësore prandaj nuk kemi pasur kompromis në këtë drejtim dhe nuk do të kemi as në të ardhmen”, ka thënë Vitia.





