Konfederata Evropiane e Volejbollit (CEV) e ka miratuar unanimisht kandidaturën e përbashkët të Federata e Volejbollit e Kosovës dhe Federata Shqiptare e Volejbollit për organizimin e Kampionatit Evropian U16 për djem në volejboll për vitin 2027.
Lajmi është bërë i ditur nga Federata e Volejbollit e Kosovës.
Sipas FVK-së, vendimi është marrë në mbledhjen e Bordit të Administratës së CEV-it dhe është konfirmuar përmes një letre zyrtare nga presidenti i CEV-it, Roko Sikiriq, drejtuar presidentëve të dy federatave, Bahri Gjinovci dhe Erlind Pëllumbi.
Ky kampionat do të zhvillohet në verën e vitit 2027 në Prishtinë dhe Tiranë, ndërsa finalja e madhe do të zhvillohet në Prishtinë.
Turneu do të mbledhë 16 kombëtare nga e gjithë Evropa, duke u dhënë mundësi volejbollistëve të rinj të tregojnë potencialin e tyre dhe të hedhin hapat e parë drejt një karriere ndërkombëtare.
“Ky vendim i CEV-it vjen edhe si rezultat i organizimit shumë të suksesshëm nga Kosova dhe Shqipëria të Kampionatit Evropian U16 për vajza, i cili u mbajt gjatë verës së vitit 2026 dhe u vlerësua lartë nga institucionet evropiane të volejbollit. Duke parë këtë bashkëpunim të suksesshëm dhe standardin e lartë organizativ, CEV ka vendosur t’u besojë sërish dy federatave organizimin e një tjetër ngjarjeje të rëndësishme të volejbollit evropian për grupmoshat e reja. Ky kampionat pritet të sjellë në Kosovë dhe Shqipëri talentët më premtues të volejbollit evropian, duke ofruar një skenë të rëndësishme ku yjet e së ardhmes do të kenë mundësinë të shkëlqejnë” – shkruan FVK-ja.