Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, sot ka takuar ambasadoren e Izraelit në Tammy Ziv, me të cilën kanë diskutua tema të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, si dhe zhvillimet e fundit në sektorin e drejtësisë në Kosovë.
Bëhet e ditur se në takim ishin edhe drejtorët e departamenteve të Ministrisë së Drejtësisë, Lulzim Beqiri dhe Gazmend Çitaku. Gjatë takimit u theksua rëndësia e reformës gjithëpërfshirëse në sektorin e drejtësisë, me fokus të veçantë në zhvillimin e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë bëri të ditur se zëvendësministri Qorrolli, e ka vlerësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm në përmbylljen e reformës, e cila duhet të realizohet në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe standardet ndërkombëtare, për të siguruar integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
“Gjithashtu, palët diskutuan për rëndësinë e vazhdimit të Reformës në sistemin e drejtësisë, ku përmendën edhe ndryshimet ligjore të bëra në kuadër të deklaratës së përbashkët të zotimit, si dhe si pjesë e procesit të Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit. U vlerësua mbështetja e organizatave ndërkombëtare, përfshirë Komisionin e Venecias dhe raportet e Bashkimit Evropian, në forcimin e legjislacionit që kanë të bëjnë me mekanizmat e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe vlerësimin e performancës, llogaridhënies dhe transparencës në këtë sektor”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Gjithashtu bëhet e ditur se temë tjetër që u diskutua ishte forcimi i bashkëpunimit juridik ndërkombëtar, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në takim, u përmend gjithashtu dhe procesi i heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës dhe Izraelit, një hap i rëndësishëm që do të hapë mundësi të reja për bashkëpunimin ekonomik, arsimor dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen. Ky zhvillim është pritur me entuziazëm nga të dyja palët, të cilat e shohin si një mundësi për të forcuar lidhjet dhe marrëdhëniet bilaterale.