Kosova është e interesuar t’i thellojë dhe zgjerojë marrëdhëniet që ka me shtetet arabe, ka thënë të shtunën zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Kreshnik Ahmeti në hapjen e konferencës ndërkombëtare arabo-evropiane “Ndikimi i ndryshimeve klimatike në degradimin e tokës”.
Ahmeti është zotuar se Qeveria do ta përkrahë dhe ndihmojë secilin projekt apo bashkëpunim që krijohet mes shteteve arabe dhe Kosovës në fushat që konferenca synon të arrijë bashkëpunime.
“Kam kuptuar edhe nga përbërja e delegacionit të Unionit Arab se ka jashtëzakonisht shumë mundësi të lidhjes së kontakteve afatgjate dhe të cilat mund të jenë produktive në të ardhmen e vendit tonë dhe Unionit Arab. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me vendet arabe dhe jemi të interesuar t’i thellojmë dhe zgjerojmë ato edhe me tutje. Zotohem se nga Ministria jonë do ta keni ndihmën dhe mbështetjen e plotë”, është shprehur Ahmeti, sipas komunikatës së MPJD-së.






