Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit sot në Riad nga zëvendësministri për Punë të Jashtme i Arabisë Saudite, Waleed Abdulkarim El Khereiji. Gjatë takimit u nënshkrua marrëveshja për heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe pasaportave zyrtare.
Sipas njoftimit për media nga MPJD, gjatë takimit me zëvendësministrin për Punë të Jashtme, El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit.





