Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti të mërkurën në takim sekretaren e re të Përgjithshme të CEFTA-s, Pranvera Kastrati, të zgjedhur këtë vit pas një periudhe dyvjeçare bllokade. Zyra e Kryeministrit njofton se ky takim u zhvillua në mbyllje të “Javës së CEFTA-s”, që u mbajt në Prishtinë, gjatë së cilës thuhet se Kosova po përmbyll një vit të parë të suksesshëm të përfaqësimit të drejtpërdrejtë dhe të udhëheqjes së procesit rajonal të bashkëpunimit tregtar.
“Gjatë takimeve të mbajtura më 1, 2 dhe 3 dhjetor në kuadër të “CEFTA ëeek 2025”, nën kryesimin e Kosovës përmes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, u miratuan katër vendime të rëndësishme, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vendimeve gjatë këtij viti në 11, një arritje që dëshmon efikasitetin dhe lidershipin e Kosovës në udhëheqjen rajonale si dhe rëndësinë që kushton bashkëpunimit rajonal, integrimit në Bashkimin Evropian dhe thellimin e tregtisë. Vendimet e miratuara shënojnë hapa të rëndësishëm drejt lehtësimit të tregtisë, standardizimit të procedurave, digjitalizimit dhe rritjes së sigurisë ushqimore dhe doganore në rajon” – thuhet në njoftim.





