Kosova pritet të zgjerojë praninë e saj diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke hapur një mision të ri konsullor në Teksas.
Lajmin e ka bërë të ditur ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se ka nënshkruar dekretin për themelimin e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në këtë shtet.
“Ky është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë në Teksas dhe në rajonin përreth, por edhe mirënjohje për mërgatën tonë në Amerikë, e cila për dekada ka punuar, ka ndihmuar, ka lobuar dhe ka qëndruar pranë Kosovës. Në çdo kapitull të rrugës sonë, prej rezistencës e deri te shtetndërtimi, mërgata ka pasur rol kyç”- ka shkruar Haxhiu në Facebook.





