Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se nga muaji shkurt, në vend do të fillojë imunizimi i djemve me vaksinën kundër papilloma virusit (HPV). Kjo vaksinë administrohet për vajzat e moshës 11-12 vjeçare që nga viti i kaluar.
Prej atëherë, rreth 10 mijë vajza janë vaksinuar kundër këtij virusi.
Vitia tha se ky është hap thelbësor drejt “parandalimit të sëmundjeve serioze”. Sipas tij, HPV shkakton probleme shëndetësore edhe te djemtë edhe te vajzat si dhe lloje të ndryshme të kancereve.Papilloma virusi (HPV) është një infektim që transmetohet seksualisht. Pothuajse të gjithë personat që janë seksualisht aktivë, në një moment të caktuar të jetës infektohen me këtë virus, por në shumicën e rasteve nuk shfaqin simptoma.
Në grupin e HPV-së hyjnë më shumë se 200 lloje të viruseve. Në shumicën e rasteve, ky virus nuk shkakton shqetësim, por infektimi me disa lloje të tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe kancer.
HPV-ja mund të prek lëkurën, zonën gjenitale dhe fytin.