Sot, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Ali Bin Mohammed Rajab, zëvendëspresident ekzekutiv për Transportin Ajror dhe Bashkëpunimin Ndërkombëtar nga Autoriteti i Përgjithshëm i Aviacionit Civil, kanë nënshkruar marrëveshjen për shërbime ajrore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite.
Kjo marrëveshje u tha se është me rëndësi të veçantë për aviacionin civil e cila krijon mundësinë për fillimin e linjave ajrore direkte ndërmjet të dy vendeve.
Ministri i Mjedisit, Liburn Aliu tha se nënshkrimi i marrëveshjes do të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe se nxit të ardhme të begatë.
Zëvendëspresidenti ekzekutiv për transportin ajror dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Ali Bin Mohammed Rajab, tha se Arabia Saudite është një nga vende e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
“… Arabia Saudite është një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Arabia Saudite gjithmonë ka mbështetur Kosovën në të gjitha aspektet. Ne po përpiqemi të promovojmë më shumë shkëmbim kulturor, më shumë bashkëpunim mes dy vendeve.
Sot ne po nënshkruajmë një marrëveshje historike për promovimin e fluturimeve direkte ndërmjet Kosovës dhe Arabisë Saudite, dhe jam vërtet i lumtur të njoftoj me këtë nënshkrim të kësaj marrëveshjeje, se NAS Airline do të fillojë fluturimet direkte duke filluar nga tetori 2025, dhe gjithashtu do të punojnë shumë për të filluar edhe më parë.
Ky është padyshim rezultat i marrëveshjes që po nënshkruajmë sot, presim që ndikimi i nënshkrimit të promovojë më shumë turistë sauditë që të vizitojnë Kosovën dhe të shijojnë bukuritë e Kosovës dhe mirësinë e popullit të Kosovës”, citohet të ketë thënë ai, raporton KP.