Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka theksuar se përpjekjet për të tërhequr Serbinë në krahët e Perëndimit në vend të Kinës dhe Rusisë nuk kanë dhënë rezultate dhe është koha për një qasje të re.
“Mendoj se Serbia qartazi është e futur thellë në krahët e Rusisë dhe Kinës. Pra, çfarëdo përpjekjesh që ndërkombëtarët kanë ndërmarrë gjatë gjithë këtyre viteve për të tërhequr Beogradin drejt Perëndimit nuk ka treguar ende ndonjë rezultat”, ka deklaruar ai.
Kosnett, i cili ishte ambasador nga viti 2018 deri në vitin 2021, në një intervistë për Euractiv, ka theksuar se gjatë 15-20 viteve të fundit të përpjekjeve për të ndërmjetësuar marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, ekzistonte një lloj tendence për t’u frustruar me Kosovën dhe për ta trajtuar atë si “fëmijë të padisiplinuar”.





