LAJME

Kos thotë se dialogu me Serbinë është kyç në rrugën drejt BE-së, bën thirrje për institucione të qëndrueshme

Kos thotë se dialogu me Serbinë është kyç në rrugën drejt BE-së, bën thirrje për institucione të qëndrueshme
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Maj 2026, 10:42

Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerim, Marta Kos, e ka lidhur rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, me  suksesin që Kosova mund të ketë në dialogun me Serbinë dhe në zbatimin e reformave. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për stabilitet institucional.

“Ne nuk punojmë me data, por i rëndësishëm është edhe përparimi dhe rruga që ndiqet. Sa më e suksesshme të jetë Kosova në zbatimin e reformave dhe sa më e suksesshme të jetë në dialogun Prishtinë–Beograd, aq më të mëdha janë gjasat që të mund t’i fillojmë negociatat, negociatat e vërteta. Pra, kjo është pjesa politike”, ka theksuar Kos në konferencën për media pas takimit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Ajo ka thënë se përtej aspektit politik, është gjithashtu e rëndësishme që Kosova të angazhohet edhe me shtetet anëtare.

“Siç e dini, procesi i anëtarësimit ka një pjesë të negociatave teknike, ndërsa pjesa tjetër lidhet me dinamikën politike në shtetet anëtare. Dhe thirrja ime për veprim ndaj çdo vendi kandidat është që të angazhohet edhe me shtetet anëtare, dhe atëherë kjo mund të ndodhë. Prandaj nuk mund t’ju jap një vit të caktuar, por jam 100% e sigurt dhe do të punoj pa u lodhur për qëllimin që ta afroj Kosovën gjithnjë e më shumë me Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos.

Ajo ka theksuar gjithashtu se për rrugën përpara është i rëndësishëm stabiliteti institucional.

“Prandaj, një nga detyrat e mia më të mëdha është të kujdesem për një integrim shumë më të fuqishëm të Kosovës në Bashkimin Evropian. Thirrja ime shumë e qartë gjatë kësaj vizite është gjithashtu që t’u kërkoj të gjithë aktorëve politikë këtu të gjejnë një mënyrë për ta rikthyer stabilitetin institucional”, ka deklaruar Kos.

Ajo ka thënë se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shtyhet përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë dhe e ka vlerësuar si kyç rolin e Kosovës në këtë aspekt.

“Ky proces i anëtarësimit është shtyrë përpara edhe për shkak të aspektit të sigurisë. Dhe kur kemi diskutuar për rolin e Kosovës në këtë, nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën. Kosova është pjesë integrale e një tabloje më të madhe, arsye pse zgjerimi sot është shumë më tepër sesa thjesht zgjerim. Ka të bëjë me kujdesin për sigurinë në Evropë, me të qenit bashkë, me bashkëpunimin rajonal që e përmendët edhe ju, dhe sigurisht edhe përmes integrimit në Bashkimin Evropian”, është shprehur Kos/KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika