LAJME

Kontrollet në sektorin e qumështit: Dhjetëra parregullsi, më e shpeshta mosdeklarimi i vajit të palmës

Kontrollet në sektorin e qumështit: Dhjetëra parregullsi, më e shpeshta mosdeklarimi i vajit të palmës
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Gusht 2026, 09:35

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë bërë të ditur se gjatë një aksioni të zgjeruar të kontrolleve në sektorin e qumështit janë identifikuar dhjetëra mospërputhje, ku më e shpeshta lidhet me praninë ose mosdeklarimin e vajit të palmës në produkte, raporton Ekonomia Online.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se qëllimi i kontrolleve nuk ishte gjetja e fajtorëve, por evidentimi i së vërtetës dhe mbrojtja e konsumatorëve, ndërsa theksoi se disa përpunues kanë tradhtuar besimin e fermerëve dhe qytetarëve.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, tha se aksioni është zhvilluar në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë gjatë periudhës prill-korrik 2026.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në koordinim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural gjatë periudhës prill-korrik 2026 ka realizuar një aksion të zgjeruar të kontrollit në sektorin e qumështit dhe produkteve të qumështit. Me qëllim verifikimin e sigurisë ushqimore, autenticitetit të produkteve, përputhshmërisë së etiketimit me legjislacionin në fuqi dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Për të arritur këtë qëllim, Agjencia ka mobilizuar të gjitha kapacitetet inspektuese dhe laboratorike në nivel vendi”, tha ai.

Ai bëri të ditur se gjatë këtij aksioni janë analizuar qindra mostra.

“Si rezultat i këtij aksioni janë marrë gjithsej 495 mostra, të cilat janë analizuar për parametrat e ndryshëm të autenticitetit dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë përmbajtjen e yndyrës, proteinës, praninë e vajit të palmës, yndyrave bimore, niseshtes apo amidonit dhe qumështit pluhur. Rezultatet e këtij monitorimi kanë ofruar një pasqyrë të plotë, të qartë dhe të bazuar në evidenca mbi gjendjen reale të sektorit. Ky aksion përfaqëson një nga proceset më të gjera dhe më gjithëpërfshirëse të kontrollit zyrtar të ndërmarrë deri më tani në sektorin e qumështit”, tha ai.

Hoxha theksoi se aksioni nuk ishte ndërmarrë kundër prodhuesve, por për të garantuar transparencë dhe mbrojtje të konsumatorit.

“Këto kontrolle kanë identifikuar një numër të madh mospërputhjesh. Nga analizat laboratorike janë evidentuar disa mospërputhje në nivel përbërësish. Nga gjithsej 93 mospërputhje të identifikuara, 46 raste kanë të bëjnë me praninë ose deklarimin e vajit të palmës. Kjo përfaqëson pothuajse gjysmën e të gjitha mospërputhjeve të identifikuara gjatë aksionit dhe e bën vajin e palmës çështjen më të shpeshtë të identifikuar gjatë kontrolleve tona. Analizat tona që janë realizuar në laboratorin e AUV-it shfaqin se mbi 91% të rasteve të mospërputhjeve, përbërësit nuk janë deklaruar në etiketë në mënyrën e kërkuar bazuar legjislacionit në fuqi. Kjo nënkupton se konsumatori nuk ka pasur informacione të plotë dhe të saktë mbi përbërjen e produktit që ka blerë. Kur një produkt përmban vaj palmë, yndyrë bimore apo përbërës tjerë alternativ kjo duhet të deklarohet qartë. Konsumatori duhet të informohet saktë dhe në mënyrë transparente”, tha ai.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, tha se institucionet do të veprojnë në përputhje me ligjin dhe se raporti i AUV-së do t’i nënshtrohet procedurave administrative.

“Nuk kishim për qëllim që të gjindet fajtori. Qëllimi ishte që të gjendet e vërteta. Aty duhet të mbështeten provat, analizat laboratorike, dokumentacioni teknik dhe procedurat e rregullta administrative. Për këtë arsye kontrollet u zhvilluan në mënyrë të koordinuar dhe të dokumentuar edhe përfshijnë kontrolle të plota gjithandej. Dua të theksoj edhe një parim thelbësor. Në një shtet demokratik raportet e kontrollit zyrtar nuk janë qëllim në vete. Ato janë instrument për të mbrojtur interesin publik. Institucionet nuk mund të mjaftohen veç me evidencimin e shkeljeve, ato kanë detyrim të reagojnë në mënyrë proporcionale, të ligjshme dhe efektive”, tha ai.

Muja tha se nga sot do të nisin procedurat për zbatimin e ligjit, duke theksuar se qumështi i fermerëve kosovarë është i sigurt, ndërsa problemet janë evidentuar te përpunuesit dhe distributorët.

“Për këtë arsye raporti dhe konstatimet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë fillimisht do të ndjekin procedurën siç e përcakton ligji për procedurën administrative. Nga sot kur po flasim do të nxjerrë vendim sa i përket procedurës së zbatimit të ligjit në lidhje me rastet dhe raportin në fjalë. Ajo çfarë ne i kërkojmë, dhe është e rëndësishme që të kuptohet: fillimisht prodhimi i qumështit dhe aktivitetet e qumështit dhe qumështi i fermerëve tanë është qumësht që e teston AUV-i. Qumështi i fermerëve tanë është cilësi që ne e garantojmë përmes kontrolleve zyrtare. Qumështi i fermerëve tanë është qumështi më i mirë. Por jo gjithmonë pas dorëzimit ruhet ajo cilësi. Dhe kjo ka qenë arsyeja e kontrolleve zyrtare pikërisht tek përpunuesit edhe tek distributorët. Atyre siç evidencohet nga raportet ka të tillë që e kanë tradhtuar besimin e fermerëve dhe e kanë tradhtuar besimin e konsumatorëve. Për këtë unë i kam kërkuar AUV-it që proporcionalisht, por duhet pasur parasysh interesi jetik i Republikës së Kosovës për të mbrojtur konsumatorët, për të mbrojtur shëndetin publik, për të mbrojtur fermerët dhe sigurisht edhe ato aktivitete të aprovuara. Sepse sot ka nevojë që të prodhojë qumësht, sot ka nevojë që të prodhojë produkte të qumështit dhe sigurisht se secili partner e përpunues që është i gatshëm me punuar me AUV-in dhe Ministrinë e Bujqësisë është i gatshëm që ta mbështesë vetëm ato aktivitete që janë të aprovuara”, tha ai./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika