Një javë më parë KOHA raportoi se si projekte të mëdha në Dragash po refuzohen për shkak të kontestit juridik që Komuna ka me AKP-në për 22 mijë hektarë tokë prej 14 vjetësh. E ky kontest mund të marrë edhe disa vite në Dhomat e Posaçme të Supremes, pasi lënda i është ngarkuar një gjyqtari që i ka në trajtim edhe rreth 1.400 të tjera.
Komuna e Dragashit dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit që nga viti 2009 janë në kontest juridik për 22 mijë hektarë tokë. E deri në zgjidhjen e kësaj çështjeje mund të shkojnë edhe disa vite, pasi gjyqtari i ngarkuar me këtë lëndë i ka edhe 1.367 të tjera.
Në një përgjigje nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme, thuhet se lëndët e vjetra kanë përparësi, e që kjo e Dragashit nuk është në mesin e tyre.
Kontesti fillimisht u trajtua në gjykatat lokale, e më 2015 lënda iu nda Kolegjit Pronësor të Supremes.
“Pas hyrjes së ligjit në fuqi, të gjitha lëndët në DHPGJS i janë nënshtruar shortit. Lënda C-III-15-0971 i është nënshtruar shortit me datë 16.01.2020. Gjyqtari qe është i ngarkuar me këtë lëndë, i ka në punë gjithsej 1.367 lëndë. Si rrjedhim, përparësi kanë lëndët e vjetra, nga viti 2008 deri në vitin 2014. Lënda C-III-15-0971 do të trajtohet sipas radhës”, thuhet nga Dhomat e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Kryetari i Dragashit, Bexhet Xheladini, është ankuar se moszgjidhja e këtij kontesti po i kushton komunës me ikje të investitorëve.
Pronat, sipas tij, ishin të Komunës së Dragashit, por në vitet 1960 ato iu dhanë në shfrytëzim ndërmarrjes shoqërore “SharrProdhimi”.
Xheladini thotë se më pas, me falsifikim, prona iu bart ndërmarrjes.
Më 2009, Asambleja Komunale e Dragashit shfuqizoi aktvendimin dhe pronën ia ktheu komunës. Këtu ndërhyri Agjencia Kosovare e Privatizimit, duke e paditur komunën për veprim të jashtëligjshëm.
“Për këtë veprim joligjor të Komunës së Dragashit, Agjencia Kosovare e Privatizimit ka ndërmarrë veprime ligjore, ka dorëzuar padi në Gjykatën Kompetente – lënda gjendet në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme – akoma nuk ka ndonjë vendim final mbi këtë çështje”, thuhet nga AKP-ja.
Vendimi u mor në kohën sa komuna qeverisej nga PDK-ja. Xheladini që vjen nga radhët e LDK-së, e çmon guximin e partisë rivale.
“PDK-ja e ka bërë këtë veprim dhe ma merr mendja këtë veprim që e ka bërë, ky është veprim i ligjshëm sepse pronat janë bartur jo ligjshëm nga Kuvendi Komunal në pronësi të ‘Sharr Prodhimit’ për arsye se Kuvendi Komunal i para luftës dhe pushteti i atëhershëm ia ka dhënë ‘Sharr Prodhimit’ në shfrytëzim këto prona dhe si pasojë e kësaj ne si Kuvend Komunal dhe si Komunë nuk kemi prona fare”, tha Xheladini.
KOHA, një javë më parë, ka raportuar se si një projekt i madh me investitorë austriakë ka dështuar për shkak të çështjes së pazgjidhur të pronës. E sipas Xhaldinit, nuk bëhet fjalë për një, por për shumë projekte që komuna i ka humbur./koha.net/