Misioni konsullor i Republikës së Kosovës në Cyrih është ngritur zyrtarisht në nivelin e Konsullatës së Përgjithshme, pas 16 vitesh funksionimi si mision konsullor.
Lajmi është bërë i ditur nga shefi i misionit konsullor të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, i cili ka theksuar se ky avancim ka marrë tashmë edhe pëlqimin zyrtar të Konfederatës Zvicerane.
Sipas tij, ky vendim përbën një moment të rëndësishëm për përfaqësimin diplomatik të Kosovës në Zvicër dhe forcon prezencën e shtetit në një nga qendrat më të rëndësishme evropiane.





