Pozita e arsimtarit të Edukatës Muzikore në shkollën “Ibrahim Fehmiu” në Prizren ka ngjallur reagime të kandidatëve të cilët kanë aplikuar për këtë vend pune.Njëra nga kandidatet, Ardita Aliu-Sallauka, pretendon në parregullsi të shumta në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatit fitues.
Sipas saj, kjo pozitë e mësimdhënësit është zënë nga një person që nuk ka konkurruar asnjëherë në konkursin i cili u hap dy herë nga Drejtoria e Arsimit në Prizren për shkak të dyshimeve për parregullsi.Ky konkurs ka mbetur i pambyllur për shkak se aplikantët nuk ishin njoftuar për orarin e ri të intervisimit, pasi kishin kaluar testin me shkrim.
Ndonëse në herën e parë kur janë lajmëruar, ky intervistim nuk është mbajtur me arsyen e mungesës së drejtorit të shkollës.Aliu- Sallauka thotë se përgjigja që e kishin marrë në ankesën e dërguar nga kandidatët ankues ishte se tashmë më dikush tjetër është duke punuar në këtë pozitë.
Pas një viti, kandidatëve u është shpjeguar nga Drejtoria Komunale e Arsimit se njoftimi i intervistës me gojë për konkurruesit nuk është mbajtur për shkak të lëshimeve teknike.Ky njoftim ishte bërë një vit e një ditë nga hapja e konkursit.Por me vendim të Gjykatës në Prizren ky konkurs ishte pezulluar dhe i njëjti me procedurë të rregullt ka vazhduar me procedurat e rekrutimit.
Më 26 gusht të vitit 2020, Aliu-Sallauka thotë se ajo dhe kandidatët e tjerë ishin njoftuar që do bëjnë intervistimin me gojë, por të njëjtit nuk ishin testuar me arsyen e mungesës se drejtorit të shkollës.“Nga ajo ditë ne kemi kërkuar sqarime nga DKA dhe kemi bërë kërkesa se pse nuk thirremi për intervista dhe kemi ndjekur rregullisht se kush i mban orët e edukatës muzikore ne atë shkollë gjatë kohës që ne prisnim për ftesa për intervistim dhe në muajin tetor kemi kuptuar qe aty u dërgua një mësimdhënës i cili fare nuk ishte i përfshirë në konkurs”, ka thënë Aliu- Sallauka.
Tani ajo ka angazhuar avokatin Agron Karatash, sipas të cilit deri në ditën e dorëzimit të kallëzimit penal asnjë përgjigje nuk është kthyer nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Prizren.“Kandidatët të cilët kanë konkurruar në pozitën e mësimdhënëses të ‘Edukatës Muzikore’ i janë drejtuar (DKA-së) me shkrim për sqarim në lidhje me rastin se pse pas datës se shpalljes së rezultatit me shkrim ende edhe deri më tani konkretisht deri me ushtrimin e kallëzimit penal, kushtimisht e të dëmtuarës Ardita Aliu, ka kaluar mbi dy muaj dhe DKA-ja ende nuk i ka thirrur këta në intervistë, por e gjithë kjo përpjekje e kandidatit ka rezultuar pa sukses, që i bie kjo Ardita Aliu si dhe kandidatët e tjerë të cilët kanë kaluar testin me sukses, andaj detyrimisht sipas ligjit të procedurës së konkurrimit do të duhet të priteshin ose të thirreshin në intervistën me gojë”, ka thënë avokati Karatash.
Nga fillimi i viti shkollor 2020/21 në të njëjtën pozitë është punësuar mësimdhënësi Ajet Krasniqi, i cili ka pasur normë jo të plotë në Shkollën Fillore “Nazim Buduri”.Haki Gajraku, drejtor i shkollës “Ibrahim Fehmiu”, kishte bërë kërkesë për mungesën e mësimdhënësve të lëndës “Edukatë Muzikore” që nga viti 2017 deri në vitin 2019 në shkollën të cilën ai drejton.“Drejtoria Komunale e Arsimit me kompetencat e veta që ka me i sistemu njerëzit që i ka në listën e vet të pagave e ka bë një zgjidhje tjetër, një mësimdhënës, i cili i ka pasur 9 orë në shkollën ‘Nazim Buduri’ e ka tranferu në shkollën tonë me normë të plotë dhe ai është Ajet Krasniqi, i cili në këtë shkollë ka punuar prej vitit 1997 deri në vitin 2011”, ka thënë Gajraku.Gajraku ka bërë të ditur se në periudhën në të cilën shkolla ka mbetur pa mësimdhënës të “Edukatës Muzikore”, kanë angazhuar mësimdhënësin Ajet Krasniqi.
“Në një konkurs të shpallur në 2019, që unë kam bë kërkesë për atë konkurs, ndërkohë ai konkurs me një vendim të gjykatës është pezullu dhe për pesë deri në gjashtë muaj ne nuk kemi ditur çka me bë dhe e kemi angazhu Ajetin për me i mbajtë këto orë”, ka bërë të ditur ai.
Në anën tjetër, Drejtoria e Arsimit në Prziren ka thënë se konkurruesit nuk janë njoftuar për intervistimin me gojë për shkak të lëshimeve teknike.“Me datë 25.05.2020, Nr. prot.264/03 lëshuar nga drejtoria e SHFMU “ Ibrahim Fehmiu” –Prizren, është parashtruar kërkesë për mësimdhënësin e Edukatës Muzikore z. Ajet Krasniqi mësimdhënës në SHFMU “Nazim Buduri”, i cili për plotësim norme punonte edhe në SHFMU “Ibrahim Fehmiu” – me 10 orë. Për shkak të shuarjes-rënies së orëve në SHFMU “Nazim Buduri” punëtori shumëvjeçar i arsimit është sistemuar në SHFMU “Ibrahim Fehmiu”, thuhet në përgjigjen e DKA-së.
Në Udhëzimin Administrativ Nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik thuhet se konkursin publik për plotësimin e vendeve të lira të punës, e shpall organi kompetent i autorizuar me Statutin apo Aktin e Brendshëm. Konkursi publik duhet të jetë në përputhje me kushtet dhe kriteret e parapara me aktet juridik aktet e brendshme në fuqi.Gjithashtu sipas këtij neni thuhet që para se të hapet konkursi publik, duhet të hapet konkurs i brendshëm, nëse ka më shumë se një kandidat të cilët i plotësojnë kushtet e kërkuara për plotësimin e vendit të lirë të punës.KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ajet Krasniqi, cili tani tashmë është duke punuar në këtë pozitë.
Ai ka treguar se në vitin 2018 në këtë shkollë ka mbajtur disa orë mësimore për të plotësuar normën.“Unë që tre vjet jam në “Ibrahim Fehmiu”, por me normë të plotë jam prej një shtatorit”, ka thënë Krasniqi./kallxo.com