LAJME

Konjufca: Serbia aspak nuk ka ndryshuar mendje për atë që ka bërë në Kosovë dhe në Bosnjë

Konjufca: Serbia aspak nuk ka ndryshuar mendje për atë që ka bërë në Kosovë dhe në Bosnjë
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Prill 2023, 16:58

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, nderoi të rënët në masakrën e Poklekut e të Çikatovës, të kryer nga shteti i Serbisë 24 vite më parë.

Masakrat në Kosovë të viteve 1998-1999 kryetari Glauk Konjufca i cilësoi akte të gjenocidit të shtetit të Serbisë mbi popullatën civile të Kosovës.

Kreu i Kuvendit tha se të gjitha masakrat që i ka bërë Serbia në Kosovë tregojnë qëllimin e vërtetë që ky shtet ka pasur.

“Vetëm në Poklek dhe Çikatovë, ushtria dhe policia serbe ka vrarë e masakruar mbi 77 civilë shqiptarë, nga foshnja gjashtëmuajshe deri te pleqtë e shtyrë në moshë. Shumicën e kufomave edhe i kanë djegur.Është ditë e dhimbjes, por po ashtu edhe e krenarisë, për arsye se falë këtij gjaku të derdhur dhe sakrificave të panumërta që kemi bërë si popull dhe si shoqëri, jemi çliruar dhe ka ardhur liria për popullin e Kosovës”, u shpreh Konjufca.

Po ashtu, Konjufca tha se Serbia ende nuk është dënuar si shtet për krimet dhe gjenocidin që ka kryer në Ballkan gjatë viteve të ’90-ta.

Kryetari Konjufca theksoi se përcaktimi që ka shteti i Serbisë po shihet edhe sot e kësaj dite.

“Serbia aspak nuk ka ndryshuar mendje për atë që ka bërë në Kosovë dhe në Bosnjë. Nuk ka kërkuar falje dhe udhëheqësit e Serbisë nuk janë penduar fare. Por ne kurrë nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për popullin e Kosovës dhe kundër gjenocidit të Serbisë. Ne jemi këtu që në mënyrë institucionale dhe shtetërore t’i kujtojmë të gjitha viktimat, të gjithë martirët dhe të gjithë dëshmorët që e kanë dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Ata do të kujtohen e nderohen gjithmonë prej popullit dhe prej institucioneve shtetërore”, shtoj më tutje Konjufca.

Në Poklek të Drenasit u vranë, masakruan e djegën mbi 50 fëmijë, pleq e gra. Në po këtë ditë, u vranë edhe mbi 20 viktima në Çikatovë të Vjetër.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika