Mandatari për kryeministër nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, nuk ka bërë të ditur se kur do të thirret seanca për votimin e tij, por ka theksuar se a do të bëhet ai kryeministër në qeverinë e ardhshme apo do të ketë zgjedhje të reja, varet vetëm nga partitë opozitare.
“Nuk e di saktësisht, me probabilitet e përqindje, sa i kam gjasat të bëhem kryeministër, por mendoj se Kosova do ta ketë një qeveri. Megjithatë, në fund të fundit, kjo nuk varet krejtësisht nga Lëvizja Vetëvendosje. Kësaj radhe, zgjedhjen nëse do të kemi një qeveri të re apo do të shkojmë në zgjedhje, e kanë në dorë partitë që ne i quajmë opozitare. Është zgjedhja e tyre”, deklaroi Konjufca pasi hodhi votën e tij për kryetar të Komunës së Prishtinës në zgjedhjet lokale.
Ai po ashtu theksoi se ka kabinetin që do ta propozojë në seancën e votimit.





