Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar një zgjidhje, bazuar në interpretimet e zyrës ligjore të Kuvendit, rreth themelimit të komisionit hetimor për energjinë, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Konjufca ka thënë në seancën e së enjtes se komisioni duhet të themelohet mirëpo, siç ka thënë, për ta zgjidhur këtë problem, pushteti duhet të heqë dorë prej diktimit të formulimit të çështjes, e opozita duhet ta rishqyrtojë mënyrën e propozimit, në mënyrë që ai grup parlamentar që dëshiron ta udhëheq këtë komision, të mos jetë i përfshirë në nënshkrime.
“Unë po distancohem sot prej të gjithë atyre deputeteve që kanë thënë që ky komision mund të mos themelohet, ky komision duhet të themelohet, por në procedurën e themelimit të tij e ka të brendashkruar edhe zgjedhjen e drejtuesit. Nuk mund të themi vetëm, po e themelojmë këtë, nëse nuk ka hapësirë ligjore për ta sqaruar se kush do të jetë drejtuesi. Zyra ligjore thotë se drejtues s’mund të jetë Driton Selmanaj, dhe asnjëri prej këtyre që e kanë nënshkruar dhe që i përkasin grupeve parlamentare. Për të gjitha këto arsye, rruga përpara mund të jetë vetëm një mënyrë: mazhoranca të heqë dorë prej kësaj që e dikton formulimin e çështjes, e opozita ta rishqyrtoj mundësinë e propozimit sa i përket lënies së lirë që ai grup parlamentar i cili dëshiron ta udhëheq këtë të mos jetë i përfshirë në nënshkrime. Po ju ftoj 3 minuta për një bisedë kryetarët e grupeve parlamentare”, ka thënë Konjufca.





