Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka folur për takimet që kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pasur me krerët e PDK-së dhe të LDK-së.
Konjufca tha se pas takimit që Kurti e pati me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën, u pa që kjo parti qëndron më shumë në pozicionet që janë parë më moti, e sipas tij, ato pozicione janë të vjetra.
Kurse, për takimin me LDK-në, Konjufca tha se përshtypja e tyre është që kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova.
“Sa i përket takimeve që ndodhën me PDK-në dhe LDK-në, u pa një gjë e qartë aty se PDK-ja më shumë qëndron në pozicionet që i kemi parë më moti. Ato janë pozicione të vjetra që i kemi parë dhe ato u shprehen edhe në takim me Kurtin. Kurse, sa i përket LDK-së, përshtypja jonë është që aty përkundër herave të kaluara, kësaj radhe ka vullnet më të madh për ta tejkaluar këtë moment në të cilin ndodhet Kosova. Ka një gatishmëri më të lartë për bashkëpunim nga LDK-ja, e unë mendoj që opsionet që dalin në tavolinë për arritjen e një marrëveshjeje janë në përpjesëtim me vullnetin. Sa më i madh vullneti politik, sa më shumë ke gatishmëri për të bashkëpunuar, edhe më shumë rritet numri i opsioneve për të gjetur zgjidhje për përgjegjësi të ndryshme se si do të ndahen ato. Kurse, atë që e kemi parë, sidomos prej zgjedhjeve të dhjetorit, ka pas qenë një bllokadë totale”, tha Konjufca në konferencën e përbashkët për media me ministrin ministrin e Francës të deleguar për Evropën, Benjamin Haddad.
Ai më tej foli edhe për zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, për të cilat tha se nuk i takon t’i komentojë e as ta këshillojë këtë parti, pasi është një parti që ekziston moti në Kosovë.
“Natyrisht, LDK-ja e ka krejt autonominë e vet për të vendosur për gjërat e saj të brendshme. Ne nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë, sepse LDK-ja është një parti që ekziston moti në Kosovë dhe besoj që ata dinë t’i rregullojnë punët e veta. Por, sa i përket bashkëpunimit me ne, mua më është dukur se pas takimit të Kurtit me Osmanin e Abdixhikun, m’u ka duk që kësaj radhe ka pasur një tjetër natyrë diskutimi dhe kjo na ka bërë më optimist se një zgjidhje mund të gjendet së shpejti”, tha Konjufca raporton KosovaPress.
Konjufca foli edhe për qëndrimin e AAK-së, duke thënë se pavarësisht që nuk pranuan të shkojnë në takim me Kurtin, ata i dhanë arsyet se në çfarë kushte do të pranonin të bashkëpunonin.
Rreth dy javë më parë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi për ndërprerjen e angazhimeve për formimin e institucioneve të Kosovës, e të cilat i pati bërë në kuadër të bisedimeve të nisura me Kurtin. Këtë vendim Abdixhiku e mori pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë.
Zyrtarë të LDK-së kanë theksuar se mbledhja do të thirret para datës 7 gusht, por deri tash nuk është konfirmuar data për të./KP