Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një konferencë të përbashkët me kryeparlamentarin austriak, Wolfgang Sobotka, mes tjerash ka folur edhe për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të prezantuar para disa ditëve në Bruksel, në takimin e lartë mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Konjufca potencoi se draft-statuti i prezantuar ‘ishte statut për me kriju një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës’.
“Kosova e ka trashëguar një vendimmarrje të qeverive të kaluara lidhur me këtë kornizë të dialogut, që është caktimi i personave të ekipit menagjues nga një zëvendëskryeministër që i përgjigjet vetëm Vuçiqit. Ky është zotëri Rakiq. Zotëri Rakiq i ka përzgjedhur anëtarët e ekipit menaxhues dhe i ka vendosur aty. Ai është kujdesur që këta anëtarë me qenë të përgjegjshëm para Serbisë. Dhe kjo është një shkelje e Kushtetutës së Kosovës e ligjeve tona, dhe bile është shkelje e betimit të deputetit”, u shpreh Konjufca.
“Dhe nëse e shihni statutin, dhe nëse e lexoni me vëmendje, atë statut që e prezantuan ishte saktë sipas urdhrit të Serbisë dhe presidentit Vuçiq. Ishte statut për me kriju një Republikë Serbe brenda Republikës së Kosovës, dhe kjo ishte anti-kushtetuese”.