Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, duke folur në cilësinë e mazhorancës, ka thënë se nuk kanë dashur që ta propozojnë një emër të njëanshëm për president pasi kjo, sipas tij, do ta mbështeste opozitën për muri.
E pikërisht për këtë arsye, Konjufca u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje ka zgjedhur rrugën e dialogut.
“E keni të qartë që Kushtetua qëllimisht e ka bërë një dallim të zgjedhjes së Qeverisë dhe presidentit. Ideja bazike e atyre që e kanë hartuar besoj ka qenë që presidenti mos me mujt me u zgjedh me shumicë të thjeshtë, që më pas të ketë diskutime mes partive. E tash po foli në emër të mazhorancës që është prej 66 deputetëve. Jemi bindur që nuk ka mundësi që të propozohet një emër i njëanshëm dhe ta marrim mbështetjen e opozitës. Ndoshta e kemi mirë, ndoshta e kemi gabim, por nuk kemi dashur ta mbështesim për muri opozitën me një emër të përveçëm. Për këtë arsye, Kurti ka takuar dy kryetarët e partive kryesore opozitare”, ka thënë Konjufca në një konferencë për media të mërkurën ku priti homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropali.
Sipas Konjufcës, takimet e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti me opozitën janë lajm i mirë për Kosovën.
“Është pjekuri e re institucionale sepse është përpjekje e mirë, e sinqertë që së bashku të mund të ulim ta kuptojmë njëri-tjetrin çka po synojmë sepse keqkuptimet po lindin kur s’po merremi vesh bash mirë. Nuk e ka pasur qasjen mazhoranca që ta shpall një kandidat nga LVV-ja sepse kjo është me qit opozitën para aktit të kryer. Prandaj kemi vepruar në këtë mënyrë”, shtoi ai, kur u pyet nëse ka ambicie për t’u bërë president.
Kuvendi i Kosovës ka kohë deri më 4 mars të zgjedhë presidentin e ri.
Kurti para disa ditësh ka pasur takime me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të diskutuar lidhur me çështjen e presidentit. Pas takimeve, ata kanë thënë se vendit i nevojitet një president konsensual.
Deri tash, presidentja Vjosa Osmani është shprehur e gatshme edhe për një mandat të dytë. Por ish-ambasadori Lulzim Peci në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së është shprehur skeptik se ajo mund ta marrë edhe një mandat të dytë për shkak se nuk ka përfaqësuar unitetin e popullit./KOHA