Ministri i Jashtëm në detyrë Glauk Konjufca ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati më i afërt dhe partneri strategjik i Kosovës.
Tek ka njoftuar se ka marrë pjesë në takimin ministror mbi rritjen e rrezikut nga terrorizmi politik, të organizuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio në Washington, Konjufca ka thënë se Kosova do të vazhdojë të japë kontributin e saj në çdo nismë që forcon bashkëpunimin ndërkombëtar dhe i shërben paqes e sigurisë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik. Bashkëpunimi me SHBA-në dhe me vendet partnere është thelbësor për ndërtimin e një mjedisi më të sigurt për mbrojtjen e vlerave mbi të cilat qëndrojnë demokracitë tona”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook.





