Zëvendëskryeministri i parë në detyrë dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Punëve të Jashtme në formatin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët e BE-së”, i cili u mbajt në Kështjellën e Bratislavës në Sllovaki.
Takimi u organizua nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Sllovakisë, Juraj Blanár, ndërsa morën pjesë delegacione nga 13 vende, si dhe komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, gjatë seancës hapëse të forumit, kushtuar integrimit gradual dhe bashkëpunimit rajonal, Konjufca theksoi se Kosova mbetet e gatshme për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.





