Glauk Konjufca ka kritikuar Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike për mozprezencën e deputetëve të kësaj partie në seancë.
Ai ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë ishin marrë vesh që të enjten deputetët të ishin në sallën e seancave.
Ka shtuar që të gjitha grupet parlamentare ishin të pajtimit që të enjten t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.
“PDK-ja në fillim i pati të gjithë deputetët por siç po shoh për shkak të disa mospajtimeve dolën. Këto mospajtime është dashur të m’i tregojnë të hënën e unë nuk kisha caktu me i sjell deputetët këtu hiç”, ka thënë ai.
Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se këto marrëveshje janë për dy muaj në agjendë, duke shtuar se nuk ka pasur interes për votimin e tyre.
Ai e ka quajtur papërgjegjësi të VV-së për shtyrjen e këtyre pikave në vazhdimësi.
Ka shtuar se këto pika të muajit prill, do duhej të përfundonin shumë më herët.
“Vendi jonë nuk është në rrethana normale. Ne po kërcënohemi edhe për fondet e IPA-s që i kemi votuar para një jave. Ne kritikën kryesore e kemi për neglizhimin e mazhorancës”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se kjo është shumë e pandershme nga ana e PDK-së.
Sipas tij, po t’i tregonte në mbledhjen e Kryesisë nuk do t’i ftonte deputetët sot në seancë.
Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se është dëshpëruese ndryshimi i qëndrimit dhe të pavërtetat që sipas saj i ka thënë Tahiri.
“Është tërësisht e pavërtetë që deklaron se në mbledhje të Kryesisë është diskutuar që nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Sot kryetari e konstatoi numrin 86 të deputetëve në sallë përderisa nën instruksione tuaja deputetët tuaj e lëshuan sallën dhe shkuan në bufe rrjedhimisht ra numri në 75. Nëse dakordoheni për mbajtje të seancës duhet të qëndroni prapa. Për hir të kolegjialitetit që e keni në kryesi të lutem mos abuzoni me diskutimet dhe dakordimet që i kemi në kryesi. Mos i ndrysho fjalët”, ka thënë ajo.
Seanca është ndërprerë.