Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi ka njoftuar se kongresmenët amerikanë Jim Himes dhe Ritchie Torres kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve të mbrohen në Serbi, njësoj sikurse të drejtat e serbëve në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kamberi u shpreh se dy kongresmenët i kanë dërguar një letër Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken ku i paraqesin këtë kërkesë.
Në letër është përmendur rëndësia e takimit të 18 marsit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Ohër.
“Dy javë pas vizitës në SHBA, çështja e Luginës zyrtarizohet në majat e diplomacisë dhe vendimmarrjes politike amerikane! Pak para takimit të Ohrit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, Sekretari i Shtetit të SHBA-ve, z. Blinken, pranon mesazh të fuqishëm nga Kongresi Amerikan për çështjen e Luginës së Preshevës! Bashkëkryesuesit e Grupit për Çështje Shqiptare në Kongresin e SHBA-ve, Kongresistët Himes dhe Torres, i dërgojnë letër zyrtare Sekretarit Blinken përmes së cilës kërkojnë që të drejtat e shqiptarëve në jugun e Serbisë, respektivisht në Luginën e Preshevës, të trajtohen në mënyrë reciproke me ato të minoritetit serb në Kosovë ‘Dialogu është dizajnuar për ta sjellur një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke përfshirë njohjen reciproke’, shkruajnë Himes e Torres, duke shtuar se “duke pasur parasysh historinë e konfliktit në rajon, dështimi për të siguruar të drejta të barabarta dhe të qëndrueshme [për shqiptarët në Luginë], mund t’i vëj në pikëpyetje të gjitha aspektet e marrëveshjes”.