Kongresisti amerikan Keith Self u ka bërë thirrje katër shteteve anëtare të NATO-s, që nuk e njohin Kosovën, ta bëjnë këtë. Self në seancën e Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka bërë thirrje që të rritet presioni diplomatik ndaj Spanjës, Greqisë, Rumanisë e Sllovakisë që ende s’e kanë njohur Kosovën.
Ai ka thënë se Kosova është një nga partnerët evropianë më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Përderisa Greqia, Rumania, Spanja e Sllovakia refuzojnë ta njohin aleatin tonë në Ballkan, atëherë s’do të ketë rrugë drejt aspiratës së Kosovës për anëtarësim në NATO. Këto partnere të NATo-s i bashkohen Kinës, Rusisë dhe Serbisë në refuzimin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kosova ka dëshmuar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe harmonizimit strategjik me NATO-n. Shtimi i saj në aelancë do të shërbente si kundërshpeshë e domosdoshme për të penguar kundërshtarët tanë dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan siç ka ndodhur në të kaluarën”, ka thënë Self në seancë.





