Kongresistët amerikanë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler kanë prezantuar një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.
Në rezolutë thuhet se qeverisja demokratike e Kosovës, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë dhe bashkëjetesa multietnike përbëjnë një “rast bindës” për anëtarësimin e saj në Aleancë.
Dokumenti thekson se, në kohën kur “forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin”, përfshirja e Kosovës në NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për të dekurajuar veprime armiqësore dhe për të parandaluar, siç thuhet në tekst, “një katastrofë tjetër globale në Ballkan”.
Rezoluta vë në pah edhe faktin se katër shtete anëtare të NATO-s – Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, duke e konsideruar këtë si një pengesë që e bllokon avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në aleancë.
Për këtë arsye, rezoluta u bën thirrje këtyre katër vendeve që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke argumentuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për të hapur rrugën drejt NATO-s dhe për të mbyllur një “boshllëk strategjik” në Evropën Juglindore, të cilin kundërshtarët mund të tentojnë ta shfrytëzojnë.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh,” ka deklaruar kongresisti Keith Self.
Ai ka shtuar se SHBA-ja duhet t’i inkurajojë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që të ndryshojnë qasje dhe të sigurojnë për Kosovën “një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”.
Në rezolutë, po ashtu, thuhet se shtimi i Kosovës në NATO do të ishte i rëndësishëm për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.