Ministria e Drejtësisë gjatë së premtes procedoi projektligjin për themelimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, e cila fillimisht do ta marrë dritën jeshile të kabinetit qeveritar. Me Byronë, barra për të justifikuar pasurinë bie te zyrtari dhe jo siç ka qenë deri më tash tek prokuroria. I njëjti mekanizëm nuk do të merret me të gjithë qytetarët, por vetëm me zyrtarë dhe ish-zyrtarë të institucioneve.
Ministrja Albulena Haxhiu, ka thënë se Byroja do të ketë staf të specializuar, por fjalën e fundit për konfiskim të pasurisë do ta japë gjykata duke respektuar edhe të drejtën e ankesës së palës tjetër. Sipas Haxhiut, dënimet e deritashme për personat e korruptuar kanë qenë qesharake dhe Byroja do të jetë zgjidhje për këtë çështje.
“Do të ketë staf të profilizuar dhe të specializuar në raport me adresimin e çështjes së pasurisë së pajustifikueshme, barra e provës do t’i bie zyrtarit që thirret për të justifikuar pasurinë për faktin se aktualisht barra e provës është tek Prokuroria dhe kjo në vazhdimësi ka dështuar, pra Prokuroria nuk ka arritur që përmes hetimeve që ka bërë të ngre aktakuza dhe t’i pasqyrojë ato para gjykatës dhe t’i mbrojë ato dhe është situata ku ne, nuk mbaj mend, kur ndonjë profil i lartë i cili ka keqpërdorur detyrën zyrtare që sot është para përgjegjësisë penale. Pra, dënimet që janë dhënë deri tani dhe atë ndaj disa zyrtarëve më të ulët, kanë qenë vendime qesharake dhe motiv për të korruptuarit për të vazhduar me afera të tilla, prandaj është koha e fundit kur ne duhet të angazhohemi maksimalisht në këtë drejtim dhe unë besoj që kjo do jetë zgjidhje më e mirë sesa që e kemi aktualisht”, deklaroi Haxhiu.





