Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me një komunikatë për media konfirmon gjetjen e trupit të tretë të anëtarit të grupit terrorist që vranë policin Afrim Bunjaku.
Nga kjo prokurori thanë se kanë sekuestruar edhe një pjesë të konsiderueshme armatimi.
Ata thanë se këto veprime janë ndërmarrë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Njoftimi i plotë:
PROKURORIA SPECIALE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS KONFIRMON GJETJEN E TRUPIT TË PAJETË TË PJESËTARIT TË TRETË TË GRUPIT TERRORIST DHE SEKUESTRON NJË SASI TË KONSIDERUESHME TË ARMATIMIT
Prishtinë, 25 shtator 2023 – Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe mekanizmat relevantë, ka udhëhequr veprimet hetuese edhe gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes – në Banjskë të Zveçanit.
Rrjedhimisht, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, konfirmon se, që nga momenti kur ka ndodhur rasti i sulmit terrorist dhe deri në këto momente, Prokurori i rastit, Naim Abazi, ishte i pranishëm intensivisht në vendin e ngjarjes për të siguruar provat në mënyrë sa më adekuate, të cilat do të ndriçojnë tërësisht rrjedhën fatkeqe të rastis të djeshëm terrorist.
Faktikisht, PSRK-ja, konfirmon se, sot, në vendngjarje është gjetur një trup i pajetë, i personit të tretë të vrarë, që kishte vepruar si pjesë e grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe, gjithashtu, po sot, është sekuestruar edhe një sasi e konsiderueshme e armatimit që është përdorur dhe pritej të përdorej në vijimësi nga pjesëtarët e kësaj bande kriminale.