Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka treguar sfidat me të cilat janë përballur komunat e Kosovës në dy vjetët e fundit, sa i përket investimeve kapitale dhe projekteve komunale.
Ibrahimi është shprehur i shqetësuar me shpenzimin e buxhetit për investime kapitale nga Qeveria, e cila në 6 mujorin e parë të këtij viti ka arritur të shpenzojë vetëm 11% të këtyre mjeteve financiare.
“Sa i përket shpenzimeve për investime kapitale, në 6 mujorin e parë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka arritur t’i shpenzojë vetëm 11% të këtyre mjeteve financiare, që është për keqardhje sepse nevojat në nivelin lokal por edhe në tërë Kosovën janë të mëdha”.
Ibrahimi ka kërkuar nga Ministria e Financave që ta procedojë Ligjin për Financa Lokale ngase siç thotë ai, grantet për komuna nuk do të jepen në baza politike apo etnike, por në proporcion të barabartë.
“Po kërkojmë edhe njëherë që Ministria e Financave ta procedojë Ligjin për Financa Lokale, ku parashihet granti për komuna, për investime kapitale. Nëse miratohet ky projektligj, komunat do të trajtohen në mënyrë të barabartë, pa pasur probleme nga aspekti politik apo etnik”.
Si problem tjetër, kryetari i AKK-së përmendi edhe ngritjen e çmimeve, raporton EO.
“Problemi tjetër, ka qenë edhe ngritja e çmimeve. Kontratat kur janë lidhur vitin e kaluar kanë qenë me çmime të tjera kurse gjatë një viti çmimet kanë ndryshuar dhe disa operatorë ekonomik kanë deklaruar që nuk kanë mundësi të zbatojnë projekte me çmime të kontraktuara para një viti”.
