Home LAJME Komunat akuzojnë MSH-në se nuk po i furnizon me barna esenciale, reagon kjo e fundit

Komunat akuzojnë MSH-në se nuk po i furnizon me barna esenciale, reagon kjo e fundit

0
Komunat akuzojnë MSH-në se nuk po i furnizon me barna esenciale, reagon kjo e fundit

Komunat e Kosovës vazhdojnë të kenë gjendje të rënduar si pasojë e të infektuarve me Covid-19.

Si shkak i kësaj, shqetësimi kryesor i tyre është mungesa e barnave esenciale, shkruan FrontOnline.

Së paku kështu po deklaron kryetari i Asociacionit të komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ai ka thënë se kërkesa kryesore e komunave është që sa më shpejtë që është e mundur Ministria e Shëndetësisë t’i furnizojë me barna.

“Përveç që kemi bashkëpunim dhe kontakte gati përditë me kryetarët e komunave kemi edhe me drejtorët komunalë të shëndetësisë, ku ka shqetësime nga ta duke shpresuar që lakorja e të infektuarve të bie. Ka shqetësime sidomos sa i përket barnave të listës esenciale po që Qeveria ka obligim t’u ofrojë komunave këto barna e ndër to edhe rendesiviri si bari kryesor në luftimin e Covidit. Komunat kërkojnë që sa më shpejtë që është e mundur Ministria e Shëndetësisë t’i dërgojë barnat të cilat parashihen nga lista esenciale”, ka deklaruar Ibrahimi.

Lidhur me këtë kërkesë të komunave FrontOnline ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e Shëndetësisë.

Në këtë dikaster kanë thënë se me apo pa kërkesë të dikujt kjo ministri financon me barna kujdesin parësor.

“Me apo pa kërkesa të dikujt, Ministria e Shëndetësisë furnizon kujdesin parësor me barna dhe material shpenzues nga lista esenciale e barnave”, thuhet në përgjigjen e MSh-së, për FrontOnline.

Të pyetur se kur pritet që kjo ministri t’i furnizojë me barna komunat pasi që kërkesa e tyre është e madhe, në Ministrinë e Shëndetësisë kanë deklaruar se ky është obligim i tyre dhe se së fundi kjo ministri ka arritur të kontraktojë materiale shpenzuese që pritet të mbulojnë 90%-shin.

“Së fundi, MSh ka arritur të kontraktojë materiale shpenzuese që pritet të mbulojnë mbi 90% të materialeve shpenzuese për Kujdesin Parësor Shëndetësor (KPSh) dhe barna që mbulojnë rreth 40% dhe ky nivel do të përmirësohet edhe më tej me qëllim që QKMF-të, të jenë sa më mirë të furnizuara”, bëhet e ditur në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Gjendje më e rëndë me Covid-19 po paraqitet në Prishtinë, pasi që numri i të infektuarve po vazhdon të jetë i lartë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here