LAJME

Komuna e Rahovecit kërkon ndërhyrjen e Qeverisë për mbrojtjen e prodhimeve vendore

Komuna e Rahovecit kërkon ndërhyrjen e Qeverisë për mbrojtjen e prodhimeve vendore
TV Prizreni
TV Prizreni
14 Gusht 2026, 09:31

Fermerët në Komunën e Rahovecit po përballen me çmime të ulëta të produkteve bujqësore dhe mungesë të tregut për shitjen e prodhimeve të tyre.

Kështu ka shkruar Drejtoria e Bujqësisë në Rahovec përmes një reagimi në rrjete sociale, ku ka bërë të ditur se gjatë ditës ka vizituar fermerë, pika të grumbullimit të perimeve dhe tregje në këtë komunë.

Sipas kësaj drejtorie, fermerët kanë shprehur shqetësimin e tyre për çmimet aktuale dhe vështirësitë në gjetjen e tregut.

“Shalqiri po shitet vetëm 5 centë për kilogram, ndërsa speci rreth 30 centë për kilogram. Këto çmime nuk i mbulojnë as kostot e prodhimit”- thuhet në njoftim.

Drejtoria e Bujqësisë ka bërë thirrje ndaj operatorëve të pikave grumbulluese që të angazhohen për gjetjen e tregjeve dhe blerjen e produkteve të fermerëve të Rahovecit.

Po ashtu, nga kjo drejtori është kërkuar që edhe Qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa konkretë për gjetjen e tregjeve dhe mbrojtjen e prodhimeve vendore.

“Edhe një herë, është koha e fundit që Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të gjetur tregje dhe për të mbrojtur prodhimet vendore dhe fermerët tanë”- thuhet në reagim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika