Komuna e Prizrenit ka njoftuar se aktiviteti i gjuetisë në territorin e saj do të mbetet i pezulluar edhe gjatë sezonit 2026–2027.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ky vendim mbështetet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me numër C.nr. 324/2021, të datës 20 maj 2021, si dhe në vendimin e Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti, me referencë DOIPGJ-473/18, të datës 14 dhjetor 2018.
Me këto vendime ndalohet zhvillimi i çdo aktiviteti të gjuetisë në territorin e Komunës së Prizrenit.
Komuna ka sqaruar gjithashtu se vendimi i datës 19 tetor 2026, me referencë KM1335/2026, për hapjen e sezonit të gjuetisë 2026–2027, nuk vlen për territorin e Prizrenit, për shkak të vendimeve të mëparshme.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural u ka bërë thirrje qytetarëve dhe shoqatave të gjuetisë që ta respektojnë ndalimin dhe të mos zhvillojnë aktivitete të gjuetisë në territorin e komunës.