LAJME

Bëhen homazhe pranë varrit të Astrit Deharit në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Kurti: Ende mungon e vërteta

Bëhen homazhe pranë varrit të Astrit Deharit në 10-vjetorin e vdekjes së tij, Kurti: Ende mungon e vërteta
TV Prizreni
TV Prizreni
5 Nëntor 2026, 10:28

Zyrtarë të lartë shtetërorë, familjarë e qytetarë kanë bërë homazhe pranë varrit të Astrit Deharit në 10-vjetorin e vdekjes së tij.

Pas homazheve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim përkujtimor ka kritikuar mungesën e drejtësisë dhe zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Deharit, duke theksuar se edhe një dekadë më vonë nuk dihet kush është përgjegjës për rastin.

“Sot me rastin e 10 vjetorit të mbytjes së tij në burg të Prizrenit, vendosem lule dhe bëmë homazhe të varri i shokut tonë dhe aktivistit e studentit shembullor Astrit Dehari. 10 vjet pa Astritin janë shumë për familjen, por janë edhe shumë për republikën e Kosovës sepse mungon edhe e vërteta…10 vjet më vonë ne nuk e dimë emrin e vrasësit të Astritit”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i Qeverisë është kthyer te ngjarjet e 5 nëntorit 2016, kur Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa ka drejtuar kritika ndaj institucioneve të drejtësisë për mënyrën se si është trajtuar rasti ndër vite.

Kurti ka përmendur ndërrimin e pesë prokurorëve gjatë hetimeve, si dhe, sipas tij, përfundimet e nxituara të institucioneve përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë që në orët e para pas vdekjes së aktivistit.

“Pesë prokuror janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij të shtunën e 5 nëntorit 2016, u patën nxituar institucionet përgjegjëse të sigurisë e të drejtësisë asokohe që të japin konstatime para hetimeve, kjo e rëndojë shumë situatën dhe kjo situatë e rënduar vazhdon edhe sot e kësaj dite, përderisa askush nuk është akuzuar, nuk është arrestuar e nuk është gjykuar e dënuar për mbytjen e Astritit”, ka thënë Kurti.

Në orën 11:00 familja e Deharit pritet të mbajë konferencë për media para Prokurorisë Speciale.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Astrit Dehari, ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 4 nëntor 2016, në kohën sa ishte i dyshuar për sulmin në Kuvend me granatahedhës, të datës 4 gusht 2016. 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika