LAJME

Komuna e Prizrenit ngre shqetësimin për guidat ilegale turistike, kërkon rregullim më të qartë ligjor

Komuna e Prizrenit ngre shqetësimin për guidat ilegale turistike, kërkon rregullim më të qartë ligjor
TV Prizreni
TV Prizreni
1 Qershor 2026, 14:24

Drejtoria për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik e Komunës së Prizrenit ka reaguar lidhur me fenomenin e operimit të guidave ilegale turistike, duke shprehur shqetësimin për ndikimin që ky aktivitet po ka në prezantimin e trashëgimisë kulturore dhe historike të qytetit.

Në reagimin zyrtar, drejtoria vlerëson se Prizreni mbetet një nga destinacionet më të rëndësishme turistike në Kosovë, duke mirëpritur çdo vit qindra mijëra vizitorë nga vende të ndryshme të botës dhe duke promovuar bashkëjetesën, kulturën dhe traditat e pasura të qytetit.

Megjithatë, sipas DTZHE-së, viteve të fundit është vërejtur shtim i pranisë së guidave turistike nga shtete të ndryshme që ushtrojnë veprimtarinë pa certifikimet dhe autorizimet e nevojshme. Sipas këtij institucioni, një praktikë e tillë jo vetëm që dëmton konkurrencën e ndershme ndaj guidave vendore të certifikuara, por në disa raste ka rezultuar edhe me prezantime të pasakta të fakteve historike.

Drejtoria thekson se rregullimi i kësaj fushe është kompetencë e nivelit qendror, duke shtuar se, megjithëse Ligji për Turizmin është në fuqi, ende mungon një rregullore specifike që do të mundësonte mbikëqyrje dhe kontroll më efikas të veprimtarisë së guidave turistike, veçanërisht të atyre të huaja.

Sipas reagimit, një kornizë më e qartë ligjore konsiderohet e domosdoshme për mbrojtjen e interesit publik, ruajtjen e integritetit historik e kulturor dhe mbështetjen e profesionistëve vendorë të certifikuar.

Komuna e Prizrenit bën të ditur se, pas takimeve dhe diskutimeve me palët e interesit, përfshirë Shoqatën e Guidave Turistike të Kosovës (GUIDEKS), do të vazhdojë angazhimin institucional për gjetjen e zgjidhjeve konkrete ndaj këtij fenomeni.

“Do të vazhdojmë të angazhohemi maksimalisht që Prizreni të prezantohet me dinjitet, profesionalizëm dhe autenticitet para çdo vizitori”, thuhet në reagimin e Drejtorisë për Turizëm dhe Zhvillim Ekonomik.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika