Adresimi i sfidave që lidhen me menaxhimin aktual të varrezave është diskutuar në takimin që zyrtarët komunalë të Prizrenit kanë zhvilluar me përfaqësuesit e bashkësive fetare, të lehtësuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë.
Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari Shaqir Totaj, së bashku me zyrtarë komunalë, kanë zhvilluar një takim konsultativ me përfaqësuesit e bashkësive fetare të kësaj komune, të fascilituar nga OSBE-ja, për të diskutuar rreth sfidave dhe praktikave më të mira në hartimin e rregulloreve për mirëmbajtjen e varrezave dhe zbatimin e tyre.
“Gjatë takimit, shqyrtuan gjithashtu nevojën e funksionalizimit të varrezave të reja sa më parë në fshatin Landovicë, për krijimin e kushteve të denja për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prizrenit.
Kryetari Totaj dy muaj më parë pat njoftuar se pas shpronësimit, prona e destinuar për varrezat e qytetit në Landovicë është bartur në emër të komunës. Sipas tij në këtë mënyrë janë krijuar mundësitë për zgjidhjen e një problemi që ka brengosur qytetarët prej shumë vitesh.
“Kjo hapësirë do të përdoret për të gjitha komunitetet që jetojnë në komunën tonë”, qe shprehur Totaj.
Telegrafi ka raportuar se si autoritetet komunale të Prizrenit para më shumë se një dekade patën hartuar një projekt ambicioz për bartjen e varrezave të qytetit në Landovicë, si rrjedhojë e kërkesave të shumta të komunitetit. Me këtë projekt synohej që çështja e varrezave të zgjidhet së paku për pesë dekadat e ardhshme, për tri bashkësitë fetare. Por projekti në fjalë ende nuk është jetësuar.