Udhëheqësit e komunës së Dragashit, nën kryesimin e kryetarit, Bexhet Xheladini, mbajtën sot mbledhjen e parë të rregullt për vitin 2025, ku u diskutua lidhur me projektet që do të financohen nga mjetet e grantit të performancës komunale të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal.
“Fillimisht, kryetari Xheladini i informoi të pranishmit se me përfaqësuesit e MAPL-së ka nënshkruar marrëveshjen e përgjithshme për shfrytëzimin e mjeteve të fituara nga granti i performancës dhe se qeverisja lokale deri më 17.01.2025 duhet të dërgojë projekt-propozimet në adresë të MAPL-së. Më pas u bë edhe ndarja e mjeteve sipas përqindjeve që u takon komunitetit shumicë dhe atyre joshumicë, si dhe mjetet për projektet e përbashkëta. Pas paraqitjes së projekt-propozimeve, u vendos që mbledhja e radhës për definimin e tyre përfundimtar të mbahet javën e ardhshme, më 08.01.2025, pas matjeve dhe përllogaritjeve në terren nga inxhinierët komunalë.”, thuhet në njoftimin e komunës së Dragashit në Facebook, raporton TV Prizreni.