Nënkryetari i komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka njoftuar se, komuna e Bingenit të Gjermanisë, e cila është e binjakëzuar me komunën e Prizrenit, ka marrë vendim për të dhuruar makinën me shkallë lëvizëse kundër zjarrit.
Paraprakisht do të shkojnë disa zjarrfikës për trajnime për përdorimin e këtij automjeti të rëndësishëm, dhe pastaj e sjellin atë në Prizren, ka njoftuar nënkryetari Gashi.
Ndryshe, gjatë vizitës së fundit që i bëri Prizrenit në fillim të muajit korrik të vitit të kaluar, kryetari i Bingenit, Thomas Feser, gjatë takimit me kryetarin, Shaqir Totaj, kishte kumtuar lajmin për sjelljen e donacionit më të rëndësishëm deri më tani për zjarrfikësit prizrenas, automjetin me shkallë hidraulike për kërkim shpëtim deri në 30 metra lartësi, i cili kap vlerën e 800 mijë eurove.
