Një person është arrestuar pasi dyshohet se ka hyrë në mënyrë të paautorizuar kompjuterike në një bankë të një shteti të BE-s, veprim i cili ka rezultuar në komprometimin e të dhënave të mbi 300 mijë kartelave bankare, duke shkaktuar dëm të konsiderueshëm.
Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ky operacion është zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës dhe autoritetet e një shteti të BE-së.
Tutje thuhet se dyshohet se i ka postuar për t’i shitur këto të dhëna në një platformë online për përfitime të kundërligjshme.
“Gjatë realizimit të operacionit të kontrollit janë sekuestruar katër kompjuterë, tre telefona, një USB dhe dokumente të rëndësishme. Bashkëpunimi i ngushtë ndërkombëtar dhe profesionalizmi i lartë i Policisë së Kosovës kanë qenë kyç në këtë operacion”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, me vendim të Prokurorit, i arrestuari është ndaluar për 48 orë, për procedura të mëtejme.
“Hetime tjera janë në proces në bashkërendim me autoritetet për të zbardhur plotësisht rastin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e krimeve kibernetike edhe në nivel të avancimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimin e sigurisë publike”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/